SOCIALISTËT DHE SIMPATIZANTËT E TYRE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË KUNDËR TOTALITARIZMIT
Mbledhjet e Komitetit i Përgjithshëm Drejtues i PSSH-së
Më 29 prill 1992, zhvilloi punimet e ditës së dytë mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Për sa i takon dokumentit dhe në raportin që paraqiti sekretari i përgjithshëm i PSSH shoku Fatos Nano dhe në diskutimet e anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PSSH-së, u theksua se socializmi është më tepër se një shoqëri, është filozofi dhe vizion i jetës, ai është solidaritet njerëzor dhe liri individuale, është një shoqëri e hapur ndaj risive sociale, politike dhe ekonomike.
Në diskutime u tha se Partia Socialiste nuk mund të jetë një parti socialdemokrate me emër. Ajo duhet të jetë e tillë për nga idetë, programi, strategjia e saj, për nga struktura, për nga aleatët dhe mënyra e funksionimit.
Një vend të rëndësishëm në diskutime zuri analiza e thellë e shkaqeve që çuan në humbjen e zgjedhjeve të 22 marsit. U shpreh mendimi se kjo humbje nuk duhet absolutizuar, por ajo duhet parë në kuadër të shumë faktorëve ekonomikë, politikë, psikologjikë dhe organizativë.
Sipas diskutantëve, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit nuk e votoi Partinë Socialiste, jo vetëm si pasojë e gabimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore, por edhe për shkak të trashëgimisë së rëndë të së kaluarës dhe mungesës së një profili të ri politik të besueshëm.
U theksua se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor nuk është vetëm individuale, por kolektive dhe se nga kjo duhet të nxirren mësime për riorganizimin e partisë, forcimin e lidhjeve me bazën, demokratizimin e jetës së brendshme dhe afrimin me shtresat e gjera të popullsisë.
Në mbledhje u fol edhe për domosdoshmërinë e një opozite të përgjegjshme, konstruktive e të vendosur në mbrojtje të të drejtave demokratike dhe të interesave të popullit. Socialistet dhe simpatizantët e tyre, u tha, duhet të jenë një forcë e rëndësishme në mbrojtje të demokracisë kundër totalitarizmit, pavarësisht se ndodhen në opozitë.
Gjithashtu u vunë në dukje nevojat për rinovim programor e organizativ, për përcaktimin e qartë të orientimit të majtë demokratik dhe për konsolidimin e marrëdhënieve me partitë socialiste e socialdemokrate evropiane.
Punimet e mbledhjes vazhduan me diskutime të tjera dhe me miratimin e disa konkluzioneve organizative e politike.